Tuesday, 12 October 2010

Një shqiptare pedagoge në Universitetin e Oksfordit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Me mijëra studentë janë ulur në auditoret e universiteteve britanike duke nisur vitin e ri akademik, ndërsa një juristeje shqiptare i është dhënë mundësia të japë mësim në një prej universiteteve me famë botërore sic është ai i Oksfordit.
Rudina Jasini është punësuar pranë Fakultetit juridik të këtij universiteti për të dhënë lëndën e “Te Drejtës Penale Ndërkombëtare” dhe “Të Drejtave të Njeriut”.

Është një rast i rrallë që në auditoret e këtij universiteti një shqiptare punësohet duke qënë pjesë e strukturave akademike të mësimdhënies.

Kjo oferte pune për zonjushën Jasini vjen pasi ajo gjatë vitit 2008-2009 përfundoi studimet e masterit për te Drejtën Penale dhe Kriminologji po në këtë universitet ku edhe ka nisur doktoraturën për të Drejtën Penale Ndërkombëtare.

Rudina Jasini i tha Top-Channel se “Të japësh mësim në një tempull dijesh sic është Universiteti i Oxford-it pa diskutim që është nje reflektim i aspiratave të brendshme dhe e një kërkese per stimulim intelektual. E kam mirëpritur ofertën me entuziasm dhe shpresoj që të japë kontributin tim
maksimal”.

Përpara mbërritjes në Universitetin e Oxfordit, Rudina Jasini ka punuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi si pjesë e ekipit të mbrojtës në cështjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të bashkëakuzuarve të tjerë, cështje të cilën ajo vazhdon ta ndjekë.

Pas përfundimit të studimeve për drejtësi, në Universitetin e Georgetown në Amerikë, ajo është përfshirë në dhënien e asistencës juridike viktimave të genocidit pranë gjykatës së posacme ndërkombëtare në Kamboxhia.

Gjithashtu juristja e suksesshme shqiptare është pjesë e studios ligjore britanike e cila po kryen një studim se cilat janë rrugët ligjore për zgjidhjen e cështjes Came.

About Me

Veliupress


View My Stats