Friday, 12 November 2010

Britani, asistencë sociale me punë vullnetare

Britani, asistencë sociale me punë vullnetare

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qeveria britanike e kryeministrit David Cameron ka anoncuar një sërë masash që kanë si qëllim inkurajimin drejt punësimit të personave të papunë të cilët e kanë mbështetur jetesën në asistencën sociale.

Refuzimi i punës së dhënë nga qendrat e punës “Job Centres” do të thotë ndërprerje e asistencës sociale për tre muaj. Nëse kjo përsëritet për të dytën herë paratë e asistencës ndërpriten për 6 muaj. E nëse e njëjta gjë përsëritet për të tretën herë atëherë asistenca sociale hiqet për tre vjet.

Gjithashtu asistenca do t’u ndërpritet edhe atyre të cilët refuzojnë të kryejnë punë vullnetare në komunitet që ka si qëllim edukimin e personave të cilët për shume vite jetotojnë me ato pak para të dhëna nga shteti.
Në punën vullnetare parashikohet pastrimi i rrugëve, grumbullimi i mbeturinave, rregullimi i parqeve apo pastrimi i mureve të mbushura me grafite.

Sipas statisikave 1,5 milion persona në Britaninë e Madhe jetojnë me 64 stërlina në javë të dhëna nga shteti.

Kryeministri David Cameron tha se këto masa do të detyrojnë heqjen dorë nga ndihmat sociale të atyre mijëra personave të cilët jetojnë nga taksat e paguara nga ata mijëra të tjerë që janë në marrëdhënie pune.

“Mesazhi është mëse i qartë. Nëse ekzistojnë mundësitë e punësimit atëherë opsioni i të jetuarit me asistencë sociale nuk është më një opsion” ka theksuar Cameron.

Këto masa janë cilësuar si më të ashprat në sistemin e ndihmave sociale të cilat prekin edhe mijëra emigrantë shqiptarë me të drejtë qëndrimi në Britani të cilët janë të papunë.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats