Saturday, 6 November 2010

Gjykata i heq mandatin deputetit Laborist

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e Lartë në Londër i ka hequr mandatin një deputeti laborist pasi gjatë fushatës elektorale nëpërmjet fletëpalosje, ai kishte shpërndarë informacione të pavërteta ndaj kandidatit kundërshtar në zonën ku garonte.

Ish-ministri Emigracionit Phil Woolas krahas heqjes së mandatit nuk do t'i lejohet hyrja në parlament për tre vjet pasi gjykata vërtetoi se gjatë fushatës elektorale ai gënjeu elektoratin.

Dy gjykatës e gjetën atë fajtor për shpifje të qëllimshme me vetëdije ndaj kundërshtarit.

Ky është vendimi i parë i këtij lloji që kjo gjykatë jep pas 99 vjetesh, duke i cuar përsëri votuesit drejt qendrave të votimit në zonën elektorale Oldham East, ku zoti Woolas fitoi ngushtë me 130 vota më shumë se rivali Liberal Demokrat.

I menjëhershëm ishte reagimi Partisë Laburiste. Lideri i saj Ed Milliband e shkarkoi zotin Woolas nga detyra e ministrit hije për Emigracionin.

“Nuk është pjesë e Partisë Laburiste të fituarit e vëndeve në parlament duke gënjyer elektoratin” tha Harriet Harman një deputete Laburiste.

Burime pranë ish ministrit Woolas i kanë deklaruar medias britanike se vendimi i gjykatës do të thotë fund i karrierës politike për të.

Nëse në Shqipëri do të përdorej i njëjti standart me atë britanik, atëherë gjysma e deputetëve të parlamentit shqiptarë duhet t'i hiqej madati, pasi të gjithë ne jemi dëshmitarë të fushatave elektorale, ku dominojnë ofendimet e shoqëruara, me akuza të pavërteta mes kandidatëve.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats