Monday, 15 November 2010

Ish-diplomati britanik në Tiranë,përpara gjykates në Londër, i akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm detyre

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një ish-diplomat që ka shërbyer në Ambasadën Britanike në Tiranë ka dalë përpara një gjykate në Londër, i akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm detyre, gjatë shqyrtimit të aplikimeve për viza pune.

Shkeljet u zbuluan nga një kontroll i brendshëm i Ambasadës Britanike pas marrjes së informacionit se një punonjës abuzonte me detyrën.

“Mark Griffith 44 vjeç me dashje ka neglizhuar kryerjen e detyrës si oficer intervistues i emigracionit, gjatë kohës kur ai punonte në seksionin e vizave të Ambasadës Britanike në Tiranë”, shkruhet në aktakuzë.

Pas një hetimi disa mujor, prokurorët britanikë në aktakuzën e ngritur thonë se Griffith me dashje neglizhoi detyrën e shqyrtimit të aplikimeve gjatë një periudhe 18 mujore.

Ish-diplomati ka lëshuar viza duke shkelur proçedurën e lëshimit të tyre. Nuk është ende e qartë nëse zoti Griffith apo persona të tjerë kanë përfituar financiarisht nga shkeljet në lëshimin e vizave jashtë standarteve të parashikuara nga ligji anglez i emigracionit.

Së bashku me ish-punonjësin e Ambasadës Britanike si i bashkëakuzuar është edhe 39 vjeçari Samuel Fongho.

Të dy akuzuarit gjatë seancës preliminare në gjykatën e krimeve “Southwark Crown Court” në Londër i kanë mohuar akuzat.

Ndaj Mark Griffith me origjinë nga qyteti Norwich, rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në një zyrë shtetërore gjatë periudhës 1 Dhjetor 2005 deri më 1 Maj 2007.

Samuel Fongho banues në zonën Middlesex në Londër, akuzohet për këshillim dhe prokurim, që çuan në neglizhimin e detyrës nga zoti Griffith. Fongho akuzohet edhe për konspiracion në përdorimin e instrumentave të falsifikuar.

Ai nuk është diplomat, por punon si menaxher i një kolegji dhe agjencie punësimi në Londër.

Gjykatësi John Price vendosi datën 6 Qershor 2011 për të zhvilluar proçesin gjyqësor që parashikohet të zgjasë katër deri në gjashtë javë.

Ministria e punëve të jashtëme britanike “Foreign Office” nëpërmjet zëdhënes së saj nuk ka pranuar të komentojë rreth këtij rasti, por ka konfirmuar se Mark Griffith ishte një diplomat i cili merrej me shqyrtimin e vizave të punës duke shërbyer në këtë detyrë prej Gushtit 2005 deri në Maj 2007, kur ai është larguar nga puna pas një hetimi të brendshëm.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats