Sunday, 7 November 2010

Londra lejon ekstradimin e vrasesit Laurent Cakollari

Akuzohet për ekzekutimin e Adriatik Banos në vitin 1998. Përdorte emrin e rremë, Roland Kadria

Nga Londra
Muhamed Veliu


Gjykata lonindeze e ekstradimeve i ka dhënë OK-in ekstradimit të Laurent Selami Cakollarit i dënuar në mungesë për vrasjen e Adriatik Banos në janar 1998.

Sipas vendimit, gjykata angleze ka refuzuar kërkesat e 34-vjeçarit me origjinë nga fshati Zvarisht i Korçës, banues në Londër, që pretendonte se nëse kthehet në Shqipëri do të vritet për hakmarrje dhe nuk do të ketë një gjykim të drejtë.

Në vendim thuhet se pretendimi për një eliminim fizik në Shqipëri, apo mosrealizimin e një procesi gjyqësor të drejtë, siç pretendonte pala mbrojtëse, janë të pabazuara.

Cakollari i ka deklaruar gjykatës se në vitin 2009, në Londër, ai është qëlluar me armë për ta vrarë së bashku me një person tjetër i quajtur Vilion Krasniqi dhe se e njëjta histori mund t’i përsëritet, nëse ai ekstradohet.

Kjo ngjarje, ndodhur pranë një lokali në zonën Paddington në Londër, është ende nën hetim nga Scotland Yard, në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë shqiptare të krimeve të rënda.

Motivi i ngjarjes dyshohet të jetë për një larje hesapesh në kryeqytetin britanik mes Cakollarit dhe disa anëtarëve të bandës së Selitës, që janë aktivë në botën kriminale në Londër.

Një zëdhënëse e Gjykatës se Ekstradimeve tha se i kërkuari i drejtësisë gjatë të gjithë procesit të ekstradimit ka pretenduar se ai nuk ishte personi që kërkohej, por ishte Roland Kadria, një shtetas shqiptar, me origjinë nga Kosova.

Vetëm në seancën e fundit, pak përpara se gjykatësi Zani të lexonte vendimin, ai pranoi se ishte Laurent Cakollari i datëlindjes 14 qershor 1976.

Menjëherë pas incidentit ku ai mbeti i plagosur, Scotland Yard nëpërmjet hetimeve intensive mësoi identitetin e tij të vërtetë nga ku rezultoi se ai ishte person në kërkim nga Interpol Tirana.

Prokuroria shqiptare ka ngritur disa akuza ndaj Laurent Cakollarit.

Të gjitha akuzat përbëjnë edhe thelbin e fl etëarrestit ndërkombëtar, ekzekutuar nga skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard, për llogari të Interpol- Tiranës.

Prokuroria, pas hetimeve ka mbërritur në përfundimin se në mbrëmjen e 15 janarit 1998, Laurant Cakollari ka goditur me armë për vdekje Adriatik Banon, pranë banesës së tij në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Oficerët gjyqësorë kanë zbuluar se Cakollari, i cili ishte mik me viktimën, gjatë kohës kur ata ishin emigrantë në Itali, i kishte marrë një makinë për ta shitur në Shqipëri.

Pas shitjes së saj nuk ia kishte dhënë lekët.

Nga ky konflikt i lindur për makinën, prokuroria beson se është shkaku i ngjarjes së rëndë.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats