Thursday, 4 November 2010

Presidenti Topi, vizitë në Britani

Nga Londra
Muhamed Veliu

Presidenti Bamir Topi vijon vizitën treditore të punës në Britaninë e Madhe, i ftuar nga presidenti Oxford Union.

Kreu i shtetit shqiptar, i shoqëruar nga zonja e Parë Teuta Topi, është takuar në parlamentin britanik me kryeministrin David Cameron, lordë dhe deputetë nga grupi gjithë partiak Britani e Madhe Shqipëri

Kryeministri David Cameron i ka rezervuar presidentit Topi një takim në ambientet e parlamentit, pa praninë e mediave.

Menjëherë pas takimit zyra e kryeministrit lëshoi një deklaratë, ku thuhet se zoti Cameron vlerësoi kontributin e rëndësishëm ushtarak në Afganistan dhe inkurajoi përpjekjet e Shqipërisë së bashku me ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit me ministrin e Europës, David Lidington presidentit Topi iu rikonfirmua mbështetja britanike për ambicjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por edhe bërja me dije e një monitorimi rigoroz nga Britania e zhvillimeve më të fundit politike në Shqipëri.

Ministri Lidington u shpreh se pavarësisht rekomandimeve për liberalizimin e vizave dhe gatishmërisë së Shqipërisë për të përfituar statusin e vendit kandidat, politikanët shqiptarë duhet të përshpejtojnë reformat.

Ai ka theksuar gjatë takimit se reformimi sistemit të drejtësisë është një cështje e rëndësishme për të cilën ka përshëndetur angazhimet e presidentit Topi dhe përpjekjet e tij, për këtë reformë.

“Pata një falenderim për Zotin kryeministër, i cili demonstroi dëshirën e madhe për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. E falenderova për ndihmën që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s dhe për të gjitha proceset e tjera. Kemi diskutuar për cështjet e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Kryeministri falenderoi Shqiperinë për pjesëmarrjen e trupave shqiptare ne Afganistan”, u shpreh Topi.

Përpara mbajtjes së një leksioni në ‘Oxford Union’, presidenti është takuar me një grup të rinjsh nga shoqata e studentëve shqiptarë të Oxfordit.

I shoqëruar nga James Kingston presidenti Oxford Union, që është një prej unioneve më të vjetra në botë, ku kanë ligjëruar personalitete të rëndësishme nga e gjithë bota presidenti Bamir Topi foli për rolin e Shqipërisë në rajon, cështjet ballkanike duke e vënë theksin në integrimin Euro-Atlantik.

Dikur një akademik, tashmë i përfshirë në politikë, presidenti Topi e ka cilësuar këtë leksion si një rikthim i shkurtës në botën akademike.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats