Wednesday, 10 November 2010

Shqipëria dhe Kosova, në panairin e boteror te turizmit ne Londer

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qendra 'Exel' në Londër ka hapur dyert për panairin e përvitshëm i turizmit “World Travel Market”, i dyti më i madhi i këtij lloji në botë pas atij të Berlinit, ku marrin pjesë edhe Shqipëria me Kosovën.

Në katër ditët e panairit brenda 90 mijë metrave katrorë të qendres 45 mijë pjesmarrës nga më shume se 180 vende nga e gjithë bota shpalosin të gjitha ofertat e tyre turistike, në një kohë kur kriza ekonomike globale e ka prekur edhe këtë industri që vlen miliona dollarë.

Eshtë viti i pestë që edhe Shqipëria është pjesë e këtij panairi, duke u përfaqësuar me operatorë privatë,hotele dhe disa bashki në stendën e krijuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Stenda e Shqipërisë ka tërhequr më shumë vëmendjen e vizitorëve për turizmin kulturor sidomos në zonat arkeologjike.

Panairi ndiqet nga 2500 gazetarë të akredituar. Programet për turizimin në televizonet Euronews, CNN dhe BBC kanë treguar interes per pavionin e Shqipërisë duke intervistuar zëvëndësministrin e Rinisë Kulturës, Sporteve dhe Turizmit zotin Nikolle Lesi, i pranishëm në panair.

I pyetur nga Top Channel se cfarë synohet të arrihet me pjesëmarrjen në panair, Lesi tha se "Shqipëria është këtu për t'i thënë të gjithë vendeve të botës se është një treg i shkëlyqer për turistët të huaj, të cilët duhet ta vizitojnë menjeherë".

Sipas Lesit, turizmi në Shqipëri nuk është vetëm veror, por në të gjithë stinët, pasi zotërojmë vende të jashtëzakonshme me trashëgimi kulturore.

Eshtë viti i dytë që edhe Kosova vjen në këtë panair me një stendë të ideuar për të përcuar mesazhin e shtetit më i ri në Europë, jo vetëm kaq por edhe se cfarë ofron në turizëm.

"Duhet të mbështetemi ne ato që kemi, në aspektin e trashegimisë kulturore dhe natyrore", tha Njazi Shala, drejtor i Departamentit të Turizmit në Kosovë.

Pas disa artikujve pozitivë në mediat botërore,më i fundit ai i dy ditëve më parë në revistën 'Lonely Planet', pjesëmarrja në këtë panair është një tjetër mundësi e artë promovimi për të treguar se Shqipëria nuk ofron vetëm diell, det dhe rërë por akoma edhe më shumë.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats