Thursday, 30 December 2010

Rooney zbulon talentin shqiptar

Nga Londra
Muhamed Veliu

Wayne Rooney, njëri prej futbollistëve më të suksesshëm për momentin në futbollin anglez, e ka shpalosur talentin që kur ishte fëmijë, fillimisht duke shkelmuar topin nëpër rrugët e qytetit të Liverpoolit.

Duke mos harruar fëmijërinë e vështirë dhe dëshirën për t’u bërë futbollist, çdo vit në bashkëpunim me stacionin televiziv SKY, ai zhvillon një konkurs për të zbuluar talente futbolli.

Këtë vit në edicionin e tretë të konkursit “Futbollistët e rrugës të Wyane Rooney-it” u paraqitën 3 mijë persona nga të cilët u përzgjodhën 100 dhe më pas 10 ku mes tyre ishte edhe një shqiptar.

Shpresim Vulaj, i cili jeton në Londër, kaloi me sukses të gjitha fazat e konkurrimit duke mbërritur në finale ku morën pjesë tre konkurrues.

19-vjeçari i veshur me një bluze të kuqe dhe shqiponjë të zezë, është duartrokitur nga të pranishmit, mes tyre shume shqiptarë, në finalen e zhvilluar në Manchester dhe të ndjekur nga miliona britanikë përmes SKY.

Shkodrani Vulaj, i cili ka shpalosur një teknikë të lartë në gjuajtjen e topit, është renditur i treti, pasi është përpjekur të japë maksimumin gjatë një ushtrimi të vështirë.

Ai është një djalë i qetë që flet pak, por ama me pasion për këtë eksperiencë të bukur dhe të vlefshme në konkursin e Wane Rooneyit.

I shoqëruar nga babai Xhelal Vulaj, e takojmë Shpresimin në veri të Londrës, jo shumë larg zonës ku ai banon. E pyesim në fillim si i lindi ideja për t’u paraqitur në fazën seleksionuese të këtij konkursi.

“Kisha dy vjet që e ndiqja këtë program nga ku më lindi dëshira për të marrë pjesë, pasi isha i bindur që do t’i kaloja provat për të mbërritur në finale”, thotë Vulaj.

Shpresimi tregon se gjatë të gjithë konkursit Rooney shikonte për ata konkurrentë që kishin cilësi të veçanta mbi të gjitha vlerësonte teknikën. Përpara çdo ushtrimi ai vetë kryente demonstrimin.

“Ishte privilegj, njëkohësisht një eksperiencë e jashtëzakonshme, për mua të merrja instruksione për kryerjen e ushtrimeve nga një futbollist i cilësuar si George Besti i ri. Rooney ishte një djalë i thjeshtë, pa çka se ai tashmë ka statusin e njërit prej yjeve të futbollit anglez”, tregon Shpresimi.

Katër episodet e finales janë regjistruar në Manchester ku nuk ka në munguar edhe surprizat për tre finalistët.

Shpresimi tregon se një natë më parë na u tregua se Rooney i kishte ftuar të ndiqnin një ndeshje të nesërmen të Manchester United në Old Trafford.

Për të marrë tre finalistët, ai dërgoi një limuzinë dhe kishte rezervuar një prej bokseve VIP nga ku tre finalistët e ndoqën ndeshjen.

Gjatë njërës prej ditëve kur po xhirohej programi, Wayne kishte ditëlindjen. Shpresimi do t’i dhuronte një bluzë të kuqe me shqiponjë të cilën e ai e pëlqeu.

Ky moment është filmuar dhe transmetuar në puntatën e tretë ku Rooney thotë “më pëlqen”. “Kjo është në shenjë mirënjohjeje për ndihmën dhe këshillat e tua gjatë këtij konkurrimi .Kur të mbaroj konkurrimin e sotëm, do ta firmos”, i ka thënë i riu shqiptar, duke bërë shaka.

Dita e finales është pritur me tension nga tre konkurrentët të cilët e shprehin atë haptas gjatë intervistave përpara mbërritjes në sallën e përzgjedhur për dy ushtrimet finale.

I pari që nis ushtrimin e finales është Shpresimi. Nga tre tuba plastike lëshohen topa, ku konkurrenti me dy prekje duhet t’i fusë në një kuti që saj vjen dhe largohet nga pozicioni i tij.

Shpresimi arriti të fusë në kuti pesë topa gjatë kohës së lejuar. Shtatë topa futi në kuti konkurrenti i dytë dhe nëntë i treti. Vendimi i Rooneyt ishte i vështirë, siç edhe ai e thotë vetë gjatë programit.

I larguari ishte Shpresim Vulaj, të cilit i uron fat. Fitimi i konkursit pa dyshim do të ishte një arritje madhore për të. Megjithatë, mbërritja në finale i shërben promovimit të tij për të ardhmen.

Ai nuk është aspak i dekurajuar përse zuri vendin e tretë, por premton se do të marrë pjesë përsëri vitin e ardhshëm duke tentuar fitimin e vendit të parë.

I riu shqiptar që bëri realitet këtë dëshirë, ka nisur të luajë futboll që në moshën 9-vjeçare, kur tërhoqi vëmendjen e agjentëve nga qendra e zbulimit të talenteve në ekipin e Tottenhamit.

Më pas ai ka luajtur me disa ekipe të 13-vjeçarëve si ato të Southamptonit, Harringeyt dhe Kentish Town në Londër në ligat semiprofesionale.

Pasi ka kaluar me sukses dy kurse të FIFA-s, Shpresim Vulaj aktualisht punon edhe si trajner pranë ekipit të Arsenalit, për moshat 5 deri 15 vjeç.

Dëshira e tij e madhe është aktivizimi në ligat profesioniste angleze, duke përfshirë veshjen e fanellës së përfaqësueses shqiptare për të rinj.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats