Wednesday, 26 January 2011

Kriza financiare mbyll BBC në Shqip

Nga Londra
Muhamed Veliu

“Ju flet Londra po dëgjoni BBC në Shqip”. Këto fjalë që kanë shoqëruar miljona dëgjues që nga rihapja e seksionit të BBC në Shqip nuk do të kenë mundësi ti dëgjojnë përsëri.

Në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve me 16% shërbimi botëror i BBC ka vendosur ndërprerjen e transmentimeve në gjuhën shqipe dhe katër gjuhëve te tjera.

Ndërprerja e transmetimeve është konfirmuar nga një zëdhënëse e BBC.

Arben Manaj njëri prej themeluesve të BBC në Shqip tha se “kjo mbyllje është për të ardhur keq pasi sipas tij BBC në Shqip ende kishte një rrol për të luajtur në informimin në Shqipëri dhe Kosovë.

“ Vendimi për mbylljen e seksionit tonë dhe disa seksioneve të tjera për arsye financiare është e mirëkuptueshme për vetë situatën e krizës ekonomike” ka deklaruar Manaj.

Dy prej drejtuesve të emisioneve kryesor në Top-Channel Sokol Balla dhe Adi Krasta kanë qenë pjesë e BBC në Shqip.

Sokol Balla e ka komentuar mbylljen si një lajm të keq pasi për të BBC ishte shtëpija e tij profesionale për katër vjet.

“Kam kaluar vite të mrekullueshme dhe ngjarje të mëdha si puci i shtetit në vitin 98, clirimi Kosovës në vitin 1999 apo konflikti në Maqedoni. Gjithsesi mendoj se zbehja e rolit dhe influencës në rajon pas viteve 2002-2003 ishte e prekshme edhe falë rritjes profesionale të medias elektronike lokale. Gjithsesi megjithëse dëgjuesit do ta ndjejnë pak mungesën e BBC në Shqip, sigurisht të gjithë do ndjejmë boshllëkun e madh të shqipes në BBC” ka thënë Balla.

Gjatë viteve të fundit Top-Channel ka patur një bashkëpunim të suksesshëm me BBC në Shqip duke organizuar programin Auditorium në të gjitha qytet shqiptare dhe ato kosovare.

Seksioni shqiptarë në BBC për herë të parë ka nisur transmetimet në gjatë luftës së dytë botërore si Radio Londra për ti ndërprerë ato në vitin 1967 pasi ministria e jashtëme britanike mendonte se kjo radio nuk ishte influencuese për rregjimin e Enver Hoxhës.

Përsëri BBC në Shqip do të shpërndante valët në eter mbrëmjen e 28 shkurtit 1993 duke rifulluar transmetimet pasi gazatari Tim Cook do të ndërtonte një redaksi me gazetarë të përzgjedhur nga Tirana dhe Prishtina.

Paanshmëria dhe influenca e BBC në Shqip nuk do të pëlqehej nga presidenti i athershëm Sali Berisha i cili në vitin 1994 një vit pas rihapjes së BBC në Shqip urdhëroi ndërprerjen e transmetimeve në valën e mesme.

E njëjta situatë do të përsëritej në vitin 1997 kur Shqipëria ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe korrespondentët e BBC në Shqip raportonin zhvillimet nga terreni.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats