Wednesday, 9 February 2011

Julian Assange, beteja ekstradimit vazhdon

Nga Londra
Muhamed Veliu

Julian Assange themelues i Wikileaks do t’i duhet të presë deri të premten për të mësuar nëse beteja e nisur për ta ekstraduar drejt Suedisë do të përfundojë në favorin apo disfavorin e tij.

Nuk kanë mjaftuar dy ditë intensive në gjykatën e Londrës për të konkluduar këtë çështje e cila ka tërhequr vëmendjen botërore.

Dita e dytë e këtij proçesi ishte një betejë e nxehtë juridike mes avokatëve të Assange dhe përfaqësueses të shtetit suedez që kërkon ekstradimin pasi ai akuzohet për ngacmimin dhe përdhunim e dy grave.

Avokatët mbrojtës të Assange i kanë paraqitur gjykatës një dëshmi e cila mund të ndalojë ekstradimin njëkohësisht të vërtetojë se proçesi ka prapaskena politike me qëllimin final ekstradimin e ish hakerit australian drejt SHBA-ve.

Bjord Hurting avokati i Assange në Suedi i tha gjykatës se në dosjen hetimore të prokurorisë suedeze i janë treguar 100 mesazhe telefonike dërguar dy viktimave ku atyre u premtohet pagesë, nëse ato do të hakmerreshin.

Por, sipas Hurting, këto mesazhe nuk janë lejuar të kopjohen dhe t’i kalohen ekipit mbrojtës në Suedi.

“Një veprim i tillë është thyerje e hapur e proçedurave gjyqësore”, ka thënë avokati Bjord Hurting.

Një ish prokuror suedes që dëshmoi në gjykatën londineze i thirrur nga pala mbrojtëse, shprehu kritikat e tij rreth mënyrës së kërkesës suedeze për ta ekstraduar Assange.

Sven-Erik Alhem tha se Suedia i ka të gjitha mundësitë ta intervistojë Assange në Angli dhe nuk është aspak nevoja për ta ekstraduar.

Shpresohet që gjykatësi Haëard Riddle ta lexojë vendimin të premtem.

Nëse kjo nuk ndodh të premten, atëherë Assange duhet të presë edhe disa javë të tjera plot ankth për të mësuar vendimin e gjykatësit Riddle.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats