Monday, 4 April 2011

Avdyl Loshaj: Ju tregoj torturat e SHIK-ut ne Vain te Lezhes

Nga Amsterdami per Top-Channel
Muhamed Veliu

Njëri prej tre shqiptarëve të torturuar nga oficerët e Shërbimit Informativ Kombëtar në vitin 1995, pas 16 vjet heshtje e pleksur me frikën e një eliminimi fizik, ka pranuar të flasë. Avdyl Loshaj, duke folur nga Holanda, në një intervistë të gjatë për emisionin “Exclusive” në “Top Channel”, ka treguar kalvarin e survejimit, si u largua nga ndjekja e SHIK-ut në Sarandë për t’u rrëmbyer më pas në Qytetin Studenti ku fshihej te dhoma e të dashurës. Gjithashtu ai rrëfen torturat nga oficerët e SHIK-ut me qëllimin e vetëm që ai të pranonte se ishte pjesë e grupit që tentuan vrasjen e ish-presidentit maqedonas, Kiro Gligorov.
Loshaj, në këtë dëshmi të parë për mediat, tregon edhe momentin e fundit kur e pa gjallë biznesmenin shqiptar nga Maqedonia Remzi Hoxha, i zhdukur nga SHIK-u, krim për të cilin akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda, oficerët e shërbimit të fshehtë shqiptar, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçaj.

Zoti Loshaj, ju jeni një personazh shumë i diskutuar njëkohësisht enigmatik për vetë ngjarjen në të cilën jeni përfshirë 16 vjet më parë. Kush është Avdyl Loshaj?

Vij nga Deçani, Republika e Kosovës. Kam kryer shkollën fillore në fshatin Carabreg. Një vit gjimnaz e kam kryer në Deçan. Pastaj ka qenë viti 1989 që u desh të largohem nga represioni serb pas vrasjes së shokut tim Ismet Qorraj.

Kur keni hyrë për herë të parë në Shqipëri dhe pse?

Në Shqipëri për herë të parë kam hyrë në fillim të dhjetorit në vitin 1992, sepse më datat 19, 20, 21 dhe 22 nëntor 1992 kam pasur tortura të rënda nga serbët në zonën e Suboticës. Kjo ishte arsyeja ime personale për të ardhur dhe qëndruar në Shqipëri.

Çfarë aktiviteti keni kryer gjatë kohës që keni qëndruar në Shqipëri?

Aktiviteti im personal ka qenë një ideal si i gjithë grupi ynë prej njëzetekatër vetash. Kemi qenë të angazhuar, të betuar për Ballin Kombëtar, me qëllim bashkimin e trojeve etnike shqiptare.

Nëpërmjet një letërporosie keni deklaruar se merreshit me çështje pothuajse politike në ndihmë të Ballit Kombëtar. Mund të na tregoni se çfarë veprime konkrete keni kryer gjatë kësaj kohe?

Veprimet konkrete do t’i vlerësoj historia vetë. Ato kanë qenë shumë të mëdha, pasi Kosova ka qenë pa nënë, pa babë. Si njeri kryesor kemi pasur Sali Cekun. Ai ishte numri një. Numri dy ishte Remzi Hoxha. Ne kemi qenë ushtarë nën urdhrat e tyre të betuar deri në vdekje.

Kur keni hyrë në Shqipëri dhe a e dinit që ishit në survejimin e shërbimit sekret shqiptar, SHIK-ut siç njihej atë kohë?

Nuk e kam ditur deri në kohën kur mbërrita në spitalin numër dy të Tiranës. Atje kam pasur vëzhgime. E gjithë dosja e spitalit numër dy në Tiranë është zhdukur. Këtë e ka bërë shërbimi sekret shqiptar, SHIK-u.

Në cilin vit ka ndodhur kjo që sapo thatë?

Në vitin 1992-1993.

Kur ka qenë kontakti i parë që shërbimi sekret shqiptar ka pasur me ju?

Këtë nuk e di. Çfarë kemi bërë ka qenë në sekret të plotë. Çdo porosi top-sekret që kemi pasur, unë, Sali Ceku, Remzi Hoxha, Azem Hajdari, edhe ai ka qenë në krahun tonë. I vetmi person që i përket regjimit shqiptar të asaj kohe.

Avdyl Loshaj, kur dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur rrëmbimi juaj në Shqipëri?

Ka ndodhur në vitin 1995. Mund të them dy herë. Njëherë në Sarandë dhe njëherë në Qytetin Studenti.

Çfarë ndodhi në Sarandë?

Në Sarandë ne ishim për një qëllim të caktuar politik. Por ai qëllim nuk na eci dot. Aty na ka ndaluar një vajzë. Nuk ia di emrin as sot e kësaj dite. M’u ndalua të flisja në gjuhën shqipe.

Kush ta ndaloi të flisnit shqip?

Padyshim shërbimi sekret përmes asaj vajze.

Gjatë qëndrimit tuaj në Sarandë jeni prezantuar si një gazetar austriak me emrin Armando Ditermenze. Kush ta dha pasaportën me këtë emër?

Po ajo vajzë. Po ashtu m’u dhanë urdhëresa shumë të ashpra personale që të mos guxoja të flisja shqip. Ky ishte dokumentacioni që mund ta përdorja. Ky dokumentacion erdhi nga shërbimi sekret, SHIK-u.

Si ju prezantuan personat që thanë se ju nuk duhet të flisni shqip dhe duhet të përdornit këtë pasaportë?

Ka qenë shumë enigmatike. Shikimi i tyre ishte sy më sy. Pasaporta është dhënë nën tavolinë, ndërsa një pistoletë u vendos te gjuri im. Atje kuptova që isha nën kontroll.

A u prezantuan këta persona që ishin nga shërbimi sekret shqiptar?

Jo. Ajo vajza ka qenë.

Mund ta përshkruash moshën e saj dhe si ngjasonte?

Rreth moshës 26-30 vjeçe në atë kohë.

Avdyl Loshaj, çfarë ndodhi më pas?

Është angazhuar një makinë e policisë. Komandanti i policisë ka qenë Ardian Nuha. Një shofer i tij çdo ditë ka qenë personalisht në dispozicionin tim. Kemi shkuar në Ksamil për të ngrënë drekë apo darkë. Gjithmonë kam qenë i shoqëruar nga policia. Arsyen akoma nuk e di.

Personat e SHIK-ut që ishin me ju, ku të dërguan më pas?

Dy javë kemi qëndruar në dispozicion. Gjithmonë në Ksamil, hanim dreka e darka dhe pastaj mu kërkua të takoj një prej oficerëve të kundërzbulimit shqiptar në zyrën e tij dhe më ka thënë se do të kemi punë ne të dy. I kërkova të më jepte një orë afat dhe do të kthehem përsëri. Më besoi. E thirra shoferin e Ardian Nuhës, ku i tregova se duhet të largohem sa më shpejt nga Saranda. I hipa “Mercedezit” të tij, veturë private, jo makinë policie. Ai ka qenë me uniformë të policisë dhe ia arrita qëllimit t’u largohem atyre organeve, pasi e dija se çfarë më priste. Ika për në Tiranë. Ky person më ka lënë mbi varrezat e dëshmorëve të kombit. Atje ka qenë vendi i fundit që kam parë shoferin e Ardian Nuhës. Pastaj jam drejtuar rreth Qytetit Studenti.

Pse shkuat pikërisht në Qytetin Studenti?

Aty kam banuar shumë kohë dhe atje kam pasur mjaft takime. Kisha edhe një njeri që e kam dashur. Ajo ka qenë edhe anëtare e Partisë Demokristiane Shqiptare. Kishte mbaruar Fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi përfshi edhe Juridikun. Ka qenë një njeri shumë besimtar.

Çfarë ndodhi pas kthimit në Tiranë kur po qëndronit në Qytetin Studenti?

Pasi u ika nga Saranda organeve të SHIK-ut kam dalë në Qytetin Studenti të pi kafe. Aty ka ardhur një veturë civile, jo shtetërore. Ishte një burrë tullac me gjithë shoferin e tij dhe njofton me radio se e kapëm “ariun”. Që nga ai moment më kanë marrë dhe me kanë çuar në rajonin numër tre të policisë në Tiranë.

Si rrodhën ngjarjet në rajonin numër tre?

Në rajonin numër tre çfarë nuk ka ndodhur. Janë ngjarje që askush nuk mund t’i përshkruajë dot. Personi që më ka kapur mua, dhe që e kam mësuar më vonë emrin e tij nëpërmjet internetit, ishte Ilir Kumbaro. Pas publikimit të fotos së tij në internet unë e njoha Ilir Kumbaron. Ishte ai që më ka kapur edhe në Qytetin Studenti. Fillimisht më ka marrë në bisedë informative ku me pyeste: “synimet tuaja, armatimi juaj, destinacioni i armatimit, stërvitjet ushtarake”. Nuk flisja dot asnjë gjë. Pastaj filloi ajo më e fuqishmja, torturat.

Çfarë torturash ushtronin ndaj jush?

Ai më ka prekur shumë thellë. Më ka prekur për sa i përket çështjes atdhetare, kombëtare shqiptare. Për mua ai personalisht nuk mund të jetë shqiptar se ne dhe shumë njerëz nga Kosova kemi vuajtur shumë për Shqipërinë e për Kosovën. Kemi ardhur deri te ngacmimet tona sy me sy me Ilir Kumbaron. Ka shumë dëshmitarë në zyrën e tij dhe ata duhet të dalin herët a vonë. I kam thënë që ju zotëri nuk mund të jeni më atdhetar sesa unë.

Torturat janë bërë në mënyrë skandaloze. Po në zyrë më ka shku gjaku. Nuk mund ta përshkruaj. Por në zyrë ka dëshmitarë pas kësaj fjale që unë i kam thënë atij. Pastaj më kanë çuar lart. Më kanë lidhur me pranga të kohës së Hitlerit, a Kinës ku ta di unë. Jo pranga moderne si i ka policia sot. Kam qenë i zhveshur, krejt lakuriq. Me çdo lloj mënyre më ka rrahur. Me çdo lloj shkopi, me çdo lloj gjëje që i ka qëlluar unë jam përgjakur në atë krevat ushtrie i lidhur. Jam goditur me shkop gome te këmbët. I shikoja këmbët si po më fryheshin. Erdha deri te momenti që nuk mund ta ndaloja as gjakun dhe as urinën nga dhimbjet. Qëllimi i tij ishte pse ky njeri nuk flet dhe nuk qan.

Gjatë kohës që mbaheshit në rajonin numër tre, si tentuat për t’u arratisur?

Shumë gazeta apo informata që kam mundur të lexoj më vonë, në disa gjëra nuk janë të vërteta.

Atëherë cila është e vërteta?

Siç e thashë. Gjakun dhe urinën nuk kam mundur ta ndaloja. Ilir Kumbaro ka dhënë urdhër: ‘Çojeni këtë qelbësirë në banjë. Nuk mund t’ia duroj erën e urinës dhe ma sillni përsëri’. Më kanë shoqëruar dy persona. Jam futur në banjë ku pashë vetëm një dritare. Një kanotiere kam pas në trup. Gjysma e trupit ka dalë jashtë. Kam parë vetëm te kontejnerët e mbeturinave. Qëllimi im ka qenë të bie me kokë dhe të marrë fund çdo gjë.

Pra tentuat vetëvrasjen?

Patjetër. Pa diskutim. Njëri më ka kapur nga kanotiera, por ishte shumë vonë. Është shqyer kanotiera. E falënderoj këtë person se më ndihmoi të bija me dy këmbët në tokë. Në atë moment kam parë vetëm një grua që ka qenë në zyrë. Ajo ka kapur kokën me duar dhe që nga ai moment unë nuk di gjë.

Sapo thatë që keni rënë në tokë, kush të ndihmoi?

Momentin që ajo gruaja më pa, pra punonjësja... Di që dy veta më kanë kapur nga krahët dhe më kanë çuar në spital. Ça spitali kam qenë, supozohet Spitali Ushtarak. Nuk e di. Kur kam mbërritur në spital kanë filluar dhimbjet më skandaloze që ekzistojnë. Supozohet që në 6 vende, këmbën e djathtë dhe këmbën e majtë në dy vende dhe siç është konstatuar në Holandë 2 milimetra neni i këmbës futur nga brenda, pasi e gjithë pesha ka rënë në këmbë. Ata më kanë dërguar në spital. Kam kërkuar ndihmë nga një mjek që më ka dhënë morfinë, nëse nuk gabohem antidhimbje, për të më futur në gips, por nuk mundën. Kam kërkuar ndihmë që të njoftojnë Dh. S. nga doktorët në mënyrë sekrete.

Kështu, kështu ka ndodhur me mua. Ai person që nuk ia di emrin, duhet të jetë gjallë. Më kanë dërguar në një dhomë në spital ku ka ardhur Dh.S. me një shoqe të vet ku i kam treguar me pika të shkurtra. Vetëm qante. Nuk fliste asnjë gjë. Mirë tha do të vij e të vizitoj. Më tha se çdo foto, çdo kujtim që kemi pasur bashkë janë marrë pas bastisjes së shtëpisë nga organet kompetente në godinën 24, nga organet e SHIK-ut.

Sa ditë qëndruat në spital?

Asnjë ditë.

Pse, çfarë ndodhi?

Pas vizitës të Dh.S. edhe shoqes së saj megjithëse kisha dhimbje, më kanë lidhur me çarçaf të bardhë.

Ku ju çuan?

Ashtu siç isha me dhimbje më kanë futur në veturë. Pastaj filloi morfina të më lëshojë. Në veturë ma kanë hequr çarçafin e bardhë dhe më kanë vendosur një thes të zi në kokë. Që aty në drejtim të Lezhës.

Kur mbërritët në Lezhë, ku ju çuan?

Këtë komunë e kam mësuar nga zyrtarë më vonë siç janë Xhevat Hana (prokurori i çështjes) atë vend ku ishte stacionuar SHIK-u.

Mund ta përshkruash se çfarë kishte brenda ajo ndërtesë ku ju çuan?

Kam qëndruar në dy dhoma. Njërën dhomë po atë ditë kur erdhi Ilir Kumbaro fjalët e tij kanë qenë: more qen, deshe të na shkatërrosh me Maqedoninë. Ti e ke bërë atentatin ndaj Gligorovit. Neve jemi shumë të sigurt. Kolegët e tu kanë dashur t’i bëjnë atentat Zef Brozit dhe Kiro Gligorovit në Maqedoni. Por mua non stop më ka akuzuar për Kiro Gligorovin dhe shkatërrimin e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë. Ishin rrahje skandaloze që më ka bërë Ilir Kumbaro në atë dhomë. Pastaj më kanë dërguar në një dhomë tjetër ku ka qenë një krevat i vjetër që kanë përdorur përpara. Nuk kam pasur pajisje apo mbulesa ose diçka, ashtu më kanë lidhur të gjithë kohën. Një shërbëtore ka qenë që fliste dialekt shkodran. Ajo kishte respekt për mua. Kemi ngrënë bukë njëherë në ditë. Kur vinin dhe më thoshin të nënshkruaja diçka, dokumentacioni fshihej, dhe e nënshkruaja.

Çfarë dokumentesh ke nënshkruar konkretisht?

Nuk e di. Vetëm më thoshin t’i nënshkruaja.

A keni parë persona të tjerë të cilët mbaheshin në këtë bazë sekrete të SHIK-ut?

Një ditë përpara se kam dashur të bëj vetëvrasje nuk kam arritur ta kryej vetëvrasjen nuk kisha tjetër mundësi të jetës sime. Po atë ditë ka qenë një gabim fatal i SHIK-ut. Gabimi i tyre ishte ndryshimi i dhomave. Konfrontimi i Remzi Hoxhës, ishte i deformuar. Ndoshta edhe ai më ka parë mua të masakruar, të deformuar.

Ky ishte i vetmi moment në të cilin keni parë Remzi Hoxhën?
Po, për herë të fundit.

Gjatë kohës që qëndronit në këtë shtëpi a dëgjonit britma njerëzish që rriheshin? Kush ishin ata?

Ushtarët tanë, 100% përfshi këtë viktimën, që nuk ka të bëj fare me organizatën tonë Ziso Kristopulli. Edhe ajo ka mundësi.

Po Zison e keni parë në ato ambiente?

Jo, nuk e kam parë.

Mund të na e përshkruash gjendjen e Remzi Hoxhës në ato pak momente që juve mundët ta shikonit?
Ka qenë i çarë nga buzët. Në anën e kokës ka qenë i gjakosur, i goditur. Fytyra ka qenë shumë e zezë.

Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri a e kishit takuar Remzi Hoxhën?
Po.

Në çfarë rrethanash?

Politike.

Çfarë bisedonit me Remziun?

Asnjëherë s’kemi biseduar për çështje biznesi. Gjithmonë kemi pasur një ideal. Idealin kombëtar.

Cili ishte roli i Remzi Hoxhës në grupin tuaj?

Remziu ka qenë një atdhetar kombëtar shqiptar shumë i qetë, shumë i matur, shumë i besueshëm. Një njeri që kur ta jap betimin nuk ndryshon siç kemi vepruar të gjithë dhe prandaj do të luftoj deri në pikën e fundit të di për fatin e tij. Më mungon shumë ai njeri jo vetëm mua, por tërë Kosovës.

Sipas prokurorisë shqiptare, Remzi Hoxha konsiderohet një person i zhdukur. Si një mik i tij çfarë mendoni se i ka ndodhur?

S’mund ta pranoj që ai njeri ka vdekur.

Nëse ai do të ishte gjallë do të kishte kontaktuar familjen...apo jo?

Ashtu është. Ose mua, ose të tjerët.

Le të kthehemi në momentet e fundit të qëndrimit tuaj në bazën e SHIK-ut. Ju liruan, çfarë të thanë?

Më kanë dërguar deri në Qafë-Thanë.

Kush të dërgoi?

Ilir Kumbaro, vetë i treti. Nuk mund të ecja dot. Ja ashtu me shumë vështirësi. Më ka dhënë një pasaportë të kuqe.

I mbani mend detajet e pasaportës? Çfarë emri kishte?

Fatkeqësisht, s’ma ka dhënë mua në dorë. Ia ka dhënë në dorë dy shqiptarëve të Maqedonisë, me një makinë me targa të Maqedonisë. Kanë diskutuar në makinën e tyre nuk e di se çfarë. Fjala e fundit e Ilir Kumbaros ka qenë: “Tani e tutje ke të bësh me shtetin maqedon. Që të dy ata kanë qenë shqiptarë. Jam futur në veturë dhe s’jemi ndaluar në pikën doganore qoftë shqiptare apo maqedone. Një natë kam fjetur ke ky person, por si kisha besë askujt. Mendoja që gjithmonë janë bashkëpunëtorë të NVRA-s kundër zbuluese të Maqedonisë.

Ku ju çuan këta dy persona?

Te njëri qëndrova një natë. U munduan me të gjitha pikëpamjet të flasin me mua të më ndihmojnë, por nuk u besoja dot.

Nga Maqedonia ku shkuat?

Në Kosovë.

Sa keni qëndruar në Kosovë?

Në Kosovë kam qëndruar gjithë kohën deri në luftë.

Kur keni mbërritur në Holandë?

Në tetor të 1998-s.

Dhe këtu keni kërkuar azil politik?
Po.

Cila është arsyeja?

Ka shumë arsye të cilat s’i them dot. Kryesorja, arsyeja e sigurisë që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shtetin shqiptar.

Abdyl Loshaj për çështjen e rrëmbimit tuaj, të Ziso Kristopulit dhe përfshi zhdukjen e Remzi Hoxhës është hapur një proces gjyqësor në Tiranë. Prokurori në këtë çështje, zoti Xhevat Hana ka tentuar disa herë t’ju kontaktojë që dëshmia juaj të jepet në sallën e gjyqit. Përse keni refuzuar ta jepni dëshminë në Tiranë?
Po të ishte gjallë i ndjeri Azem Hajdari do të vija.

Prokuroria shqiptare ju ka garantuar mbrojtje...

Çfarë mbrojtjeje?

Sipas ligjeve në fuqi....

Çfarë ligjesh. Nuk shikoj fuqi unë. E njëjta qeveri e asaj kohe që na ka shkatërruar e njëjta qeveri është edhe sot.

A i frikësoheni një eliminimi fizik të mundshëm?

Po, drejtpërsëdrejti.

Meqenëse jemi te procesi gjyqësor që po zhvillohet në Shqipëri ku Arben Sefgjini, Avni Koldashi janë prezentë në sallën e gjyqit ndërsa Ilir Kumbaro po gjykohet në mungesë. A po e ndiqni këtë proces gjyqësor nëpërmjet medias.
Jo.

Nuk keni fare dijeni se çfarë po ndodh me këtë proces ku një ndër akuzat ka të bëjë me rrëmbimin tuaj?

Një gjë është shumë e qartë për mua. S’kam nevojë t’i ndjek këto gjëra çdo gjë do t’ia lë drejtësisë shqiptare.

Pra, ju thoni se në rrëmbimin tuaj kanë qenë edhe persona të tjerë?

Vetë shteti.

Çfarë kërkoni nga drejtësia shqiptare?

Nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi.

A besoni që një ditë kjo drejtësi e vonuar për rastin tuaj do të realizohet?

Jo, me këtë qeveri në Shqipëri.

About Me

Veliupress


View My Stats